Loja me lëndë kimike në klasë edhe një herë u bë shkak për helmim të nxënësve në shkollat shqiptare.Rasti i radhës u shënua në shkollën e Golemit.
Katër prej nxënësve kërkuan ndihmë urgjente mjekësore në Spitalin e Kavajës me shenja helmimi.
Pasi morën ndihmën e parë, burime mjekësore thanë se ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia pas veprimeve të para zbuloi se fëmijët e moshës 14-vjeç ishin duke luajtur me njëri – tjetrin me një sprajt që përdoret për vetëmbrojtje dhe përmban lëndë kimike.
Por gjate lojës në klasë, të miturit u ankuan per vështirësi në frymëmarrje e për pasojë u dërguan për ndihmë mjekësore.
Në spital, nxënësit dhe prindërit e tyre nuk pranuan të flasin për atë cfarë ndodhi në klasë.
Ky ishte rasti i dytë në gati një muaj, kur nxënës të shkollave helmohen duke përdorur lëndë kimike brenda në klasa.
Më i rëndë, ishte rasti i fundit të tetorit, në shkollën e Mesme të Shupenzës ku nga përdorimi në klasë i një një lënde kimike u helmuan 14 nxënës!
Një vajzë madje rrezikoi jetën dhe u soll në Tiranë për mjekim të specializuar për shkak të helmimit.