Mikel (Gjovalin) Alia i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e shokut të tij të fëmijërisë, Eri Zefit 34-vjeçarit që u gjet i vrarë në një kanal në Zall Xhuxhë është arrestuar.
Alia ishte shok fëmijërie me viktimën por hetimet kanë nxjerrë se ka qenë pikërisht ai që ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin tek personat që e ekzekutuan. Ky i fundit prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet e tij dhe frekuentimin e personave të ndryshëm, pasi i ruhej një gjakmarrje të mundshme. Kjo pasi, Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.
Si pasojë e kësaj vrasje, Eri Zefi, i ndruhej një hakmarrje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme. Personat që e doni të vdekur Eri Zefin kanë paguar shokun e ngushtë të Eri Zefit, Mikel Alia, me qëllim që ky i fundit ta nxirrte nga shtëpia Zefin dhe t’ia çonte në pritë dy autorëve, që ishin caktuar për të bërë vrasjen.
Sapo Alia dhe Zefi kanë dalë nga makina dhe ndodheshin mes errësirës, mes disa shkurreve janë shfaqur dy persona ende të paidentifikuar duke ushtruar dhunë barbare ndaj Zefit.
Një letër porosi e dërguar në autoritet të drejtësisë kosovare pritet të hedhë dritë mbi hyrje-daljet e dy autorëve të vrasjes. Letër-porosia është dërguar nga prokuroria e Lezhës e cila po drejton hetimin për rastin e vrasjes së Zefit, duke kërkuar nga pala kosovare të japë të dhëna për dy persona që kanë hyrë në territorin e Kosovës nga Shqipëria dhe më pas janë larguar nga Kosova në drejtim të Gjermanisë.
Bëhet fjalë për dy persona që i përkasin fisit Ndreca, mbi të cilët bien dyshimet kryesore si autorë të vrasjes së 36-vjeçarit Zefi. Është provuar se këta dy persona kanë dalë nga territori i Shqipërisë një ditë pas ngjarjes duke hyrë në Kosovë, por nuk dihet se kur janë larguar nga Kosova.
34-vjeçari u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Në trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës. Viktima u gjet i vrarë në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së “Kombit”.