Testi bërthamor i Koresë dënohet nga Obama. Premton sanksione të reja
Ndër të fundit, por jo më pak i rëndësishmi që iu bashkua zërave që dënuan testin e fundit bërthamor të Koresë së Veriut këtë të premte ishte edhe presidenti amerikan Barack Obama, i cili e quajti atë “një kërcënim të rëndë” ndaj sigurisë rajonale dhe paqes ndërkombëtare, ndërsa shtoi se do të punojë me partnerët e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Penianit. “Për të qenë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë dhe nuk do ta pranojnë kurrë Korenë e Veriut si një shtet me armë bërthamore”, tha Obama përmes një deklarate, ku vendi i izoluar komunist veçohej si shteti i vetëm që ka zhvilluar teste bërthamore gjatë këtij shekulli. Koreja e Veriut realizoi këtë të premte testin e pestë dhe më të madhin bërthamor, test që u dënua masivisht nga shumë vende, përfshi edhe aleatin më të madh të saj, Kinën. Peniani bëri të ditur se ka perfeksionuar aftësinë për të vendosur koka bërthamore në raketat balistike, duke nxitur kështu një kërcënim ndaj komunitetit ndërkombëtar, i cili ka qenë i pafuqishëm për ta frenuar. Obama tha se testi ishte “një kërcënim i rëndë për sigurinë rajonale dhe paqen e stabilitetin ndërkombëtar”, ndërsa “ndjek një fushatë të paprecedentë të lëshimit të raketave balistike”. Testimi u krye në 68-vjetorin e themelimit të Koresë së Veriut, teksa erdhi në momentin kur Obama u rikthye në Uashington pas një udhëtimi 9-ditor në Azi. Presidenti amerikan tha se kishte folur në telefon me udhëheqësit e Koresë së Jugut dhe Japonisë, të cilët ranë dakord të punonin së bashku me vende të tjera “për të ndërmarrë hapa të tjerë domethënës, përfshi sanksione të reja, për t’i treguar Koresë së Veriut se do të përballet me pasojat e veprimeve të saj të paligjshme dhe të rrezikshme”.