REPUBLIKANËT KANË MARRË MË SHUMË VENDE NË KONGRES. Në SHBA, republikanët kanë marrë vende të mjaftueshme në zgjedhjet e së martës për Kongresin që u sigurojnë kontrollin e Senatit.

Republikanët kanë fituar vende në Senat në shtetet Virxhinia Perëndimore, Arkansa, Dakota e Jugut, Kolorado, Montana dhe Karolina e Veriut, duke e përmbysur shumicën që mbahej nga demokratët me 55 vende nga 100 gjithsej. Republikanët arritën të marrin gjashtë vende më shumë.Republikanët e rimarrin kontrollin e Senatit pas 8 vjetësh. Në disa shtete ende nuk është përcaktuar fituesi. Në Luiziana, asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se 50 për qind të votave. Gara mes senatores demokrate Mary Landrieu dhe sfiduesit republikan Bill Cassidy do të zgjidhet me balotazh më 6 dhjetor.Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell u rizgjodh në shtetin e Kentakit për një mandat të gjashtë. Kjo nënkupton se ai do të jetë udhëheqësi i shumicës në Senat dhe njëri ndër politikanët më të fuqishëm të vendit. Ai do të ketë autoritetin për të vendosur se cilat projektligje do të paraqiten për t’u hedhur në votë në Senat. Por edhe demokratët siguruan një fitore të rëndësishme në shtetin Nju Hempshër, ku mediat kanë parashikuar fitoren e senatores demokrate Jeanne Shaheen. Presidenti Barack Obama tha se demokratët në Senat përballeshin me ndoshta garat më të vështira që nga viti 1958, kur republikanët humbën 13 vende në Senat.Në zgjedhjet e së martës u votua për një të tretën e 100 vendeve të Senatit. Republikanët gjithashtu pritet të konsolidojnë shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ata kanë 233-vende nga 435 gjithsej. Në zgjedhjet e së martës u votua për të gjitha vendet e Dhomës. U votua edhe për 36 nga 50 postet e guvernatorëve. 

 

Artikulli paraprakAKSION BLIC I POLICISË PËR XHAMAT E ZINJ
Artikulli tjetërBAXHOT NË TË ZEZË, S’KA INFORMACION TEK TATIMET