REPUBLIKANËT KUNDËRSHTOJNË, KALOI KOMPETENCAT. “Të dashur amerikanët e mi, ne jemi dhe do të jemi gjithmonë një komb emigrantësh. Edhe ne kemi qenë dikur të huaj këtu!”Me këto fjalë, Presidenti amerikan, Barak Obama, nisi të enjten fjalimin e tij para popullit amerikan për të shpallur platformën e legalizimit të emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rreth 11 milionë emigrantë pa dokumenta të rregullta jetojnë në total në SHBA, por pas urdhrit ekzekutiv të Obamës, rreth 4.4 milionë prej tyre do të përfitojnë automatikisht leje të rregullt qëndrimi pasi fëmijët e tyre kanë lindur në SHBA dhe janë shtetas amerikanë.Reforma e re do të përfshijë edhe programin e nisur nga Obama në vitin 2012 për mbrojtjen nga dëbimi i minorenëve të sjellë ilegalisht në SHBA nga prindërit e tyre kur kanë qenë fëmijë të vegjël.Pas urdhrit ekzekutiv të Obamës, këta persona përfitojnë të drejtën për të aplikuar për vende pune dhe t’i bashkohen shoqërisë amerikane, por gjithsesi nuk kanë të drejtën e votës apo përfitimit të sigurimeve shëndetësore.Sipas statistikave, rreth 70% e emigrantëve të paligjshëm vijnë nga vendet e Amerikës Qendrore. Ata hyjnë në “tokën e premtuar” përmes kufirit me Meksikën, që është rreth 3 000 kilometra i gjatë, shpesh duke hasur vështirësi nga terreni dhe klima e thatë.