Hapësirat publike të 12 pallateve të zëna në mënyrë të paligjshme në fshatin Oblikë të njësisë Ana e Malit kanë nisur që të lirohen. Aksioni u ndërmor nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Shkodër pasi në atë zonë bashkia do të realizojë rikualifikimin urban. Kryeinspektori i Mbrojtjes së Territorit Gentian Ibro deklaroi se janë mbi 90 banorë që përfitojnë nga lirimi i hapësirave publike në Oblikë.
Banorët e pallateve në Oblikë nuk kanë kundërshtuar këtë aksion të bashkisë Shkodër për lirimin e hapësirave publike, madje janë treguar bashkëpunues.
Përveç Oblikës në njësinë Ana e Malit pritet që në vazhdimësi bashkia Shkodër të vijojë me të tjera aksione për lirimin e hapësirave publike në njësitë administrative por edhe në qytetin e Shkodrës.