Prej 2 javësh, rreth 450 metër aks rrugor që lidh qendrën e fshatit Oblikë me lagjen Velinaj në Njësinë Administrative Ana e Malit është riparuar, investim që përfshinte asfaltimin dhe vendosjen e sinjalistikës.
Jashtë kamerave banorët e zonës shprehen optimistë për investimin e kryer, por thonë se është i pamjaftueshëm për nevojat e shumta që ka zona. Përfaqësuesi i bashkisë në këtë zonë, administratori Arben Ceni thotë nga ana tjetër se ky është një premtim i mbajtur. Ai iu bëri me dije banorëve se një tjetër investim i planifikuar është ndërhyrja në rrugën e fshatit Obot.
Së fundmi, Bashkia Shkodër ka nisur asfaltimin e disa rrugëve në njësitë administrative. Kryebashkiakja Voltana Ademi ka bërë me dije se gjatë këtij viti në projeëkt-buxhetin e bashkisë është parashikuar riparimi minimalisht i një rruge në të gjitha njësitë. Në Anë të Malit gjithashtu vijojnë punimet për pastrimin e kanaleve të kullimit, kjo për ti ardhur në ndihmë sektorit të bujqësisë.