Tre lagje të fshatit Oblikë të Njësisë Administrative Ana e Malit rrezikojnë të mbeten të izoluara, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet ura që shërben për të lidhur ato me qendrën e njësisë administrative.
Ky problem është tejet shqetësues për këta banorë, pasi rrezikshmëria rritet sidomos përgjatë shirave të rrëmbyeshëm, të cilët rrezikojnë këmbët e urës.
Me kalimin e viteve gërryerja është shtuar, përderisa akoma asgjë nuk është bërë për të përmirësuar situatën.
Një shëmbje e mundshme do të rezultonte katastrofike pasi një numër i konsiderueshëm banorësh do të mbeteshin të izoluar, pa asnjë menyrë tjetër kalimi.
Përveç problematikave të mëdha me këmbë e urës, të cilat rrezikojnë të shemben, parmakët e saj prej muajsh qëndrojnë të dëmtuar për shkak të një përplasje të ndodhur nga një automjet.
Kjo gjë rrezikon sidomos fëmijët, të cilët janë të detyruar të kalojnë çdo ditë mes rrezikut.