Ashtu si para 6 vitesh, në fshatin Obot të njësisë Ana e Malit duhet makina e ushtrisë që banorët të dalin dhe të futen në fshat.
Niveli i lartë i ujit në pjesë të ndryshme të rrugës së Obotit e bën të pamundur kalimin. Uji ka shtuar ndjeshëm në Obot duke përkeqësuar situatën. Banorët tregojnë për dëmet e shkaktuara sërish. Banorët thonë se shteti nuk i ka ofruar asnjë ndihmë edhe pse ndodhen në vështirësi. Tokat, banesat apo pasuritë e tjera do kishin patur dëshirë që t’i sigurojnë por banorët thonë se nuk e kanë këtë mundësi ndërsa kanë humbur totalisht besimin tek shteti i tyre. Reshjet e dendura të shiut, shkarkimet nga hidrocentralet dhe tashmë rritja e nivelit të ujit edhe në liqenin e Shkodrës ka bërë që në fshatin Obot të zgjerohet harta e përmbytjeve.