E vështirë mbetet situata e krijuar nga reshjet e shiut dhe borës në qarkun Shkodër. Aktualisht, në bashkinë Shkodër sipërfaqja e tokave të përmbytura arrin në 1120 ha, e njejtë me një ditë më parë. Ndërsa njësia më e prekur administrative në këtë bashki mbetet Ana e Malit. Në fshatin Obot, lëvizja e banorëve në rrugën kryesore bëhet vetëm me mjete të kalueshmërisë së lartë, pasi niveli I ujit në rrugë arrin mbi 50 cm. Ndërkohë, në njësinë administrative Dajç, sipërfaqja e tokave të përmbytura është 20 ha, ndërsa nuk paraqitet rrezik tek banorët.

Nga ana tjetër, në zonat malore situata është edhe më e vështirë pasi trashësia e borës arrin deri në 80 cm. Në aksin Bogë – Theth trashësia e borës në rrugë është rreth 45 cm, ndërsa në afërsi të tuneleve trashësia e borës arrin deri në 5 m për shkak edhe të orteqeve që bien. Në aksin Tamarë – Vermosh reshjet e borës kanë vazhduar me intensitet të lartë gjatë gjithë natës. Në këtë aks është punuar me dy borëpastruese dhe me mjete të tjera për të mbajtur rrugën të hapur.

Ndërkohë, në aksin Qafë Mali – Fierzë trashësia e borës arrin deri në 25 cm ndërsa po punohet për hapjen e rrugës dhe hedhjen e kripës për lehtësimin e qarkullimit.

Institucionet janë në gatishmëri për pastrimin e këtyre akseve rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët e zonës. Ndërkohë, në zonën e NënShkodrës, ende nuk ka banesa të rrezikuara nga uji, por dëmet e shkaktuara në toka bujqësore janë kolosale për banorët e zonës që ekonominë familjare e kanë ngritur duke u mbështetur në punimin e tokës dhe kultivimin e kulturave të ndryshme

 

Artikulli paraprakPËRMBYTJET, KRYEPLAKU I OBOTIT: THIRRJE PËR NDËRHYRJE
Artikulli tjetërPËRMBYTJET, BANORËT TË BLLOKUAR PREJ 3 DITËSH