Nga fillimi i pandemisë në mbarë botën janë identifikuar mbi 127 milionë e 775 mijë raste me COVID-19 ndërsa mbi 2 milionë e 794 persona humbën jetën si pasojë e koronavirusit. Pandemia që ka goditur botën për më shumë se një vit, paralizoi pothuajse çdo industri. Që në të ardhmen bota të jetë më e përgatitur për situate të tilla OBSH dhe BE propozuan një traktat për pandemtë. Në diskutimin e së martës morën pjesë më shumë se 20 drejtues të qeverive dhe agjencive botërore.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhano Ghebreyesus dhe udhëheqës tjerë përfshirë Kryeministrin britanik Boris Johnson, atë italian Mario Draghi dhe Presidentin e Ruandës Paul Kagame, propozuan angazhim të ri kolektiv për të forcuar sistemin e gatishmërisë dhe përgjigjes duke përdorur statutin e agjencisë botërore të shëndetit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se bota duhet të mësojë nga COVID-19 duke u kërkuar udhëheqësve nga çdo pjesë e botës të bashkohen për të propozuar veprime të përbashkëta në nivel ndërkombëtar.

“Pandemia tjetër nuk është në pikëpyetje nëse do të ndodhë por kur do të ndodhë, prandaj duhet të jemi gati dhe nuk kemi kohë për të humbur. Ky traktat mbi pandemitë do të ketë rrënjët në statutin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ajo do të mbështesë parimin e shëndetit për të gjithë dhe përmes këtij traktati, qëllimi ynë kryesor është të nxisim një qasje gjithëpërfshirëse për parashikimin, parandalimin dhe përgjigjen më të mirë ndaj pandemive “, tha ai.

Rregulloret ndërkombëtare për shëndetin ekzistojnë dhe zbatohen nga OBSH, por ato mund të mos merren parasysh nga vende që kanë më pak pasoja.

Pavarësisht detyrimit që vendet të ndajnë të dhënat kritike për epidemitë me organizatën, Kina nuk pranoi ta bënte këtë kur shpërtheu për herë të parë koronavirusi.

Zyrtarët e OBSH-së kishin pak mjete në duar për t’i detyruar ata të ndanin informacione, gjeti një hetim i Associated Press vitin e kaluar.

Konferenca e së martës nuk solli asnjë tregues që ndonjë vend së shpejti do të ndryshojë qasje. Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk iu bashkuan nënshkrimit të deklaratës.

“Tani është koha për të vepruar. Bota nuk mund të presë derisa të mbarojë pandemia për të filluar planifikimin për pandeminë tjetër. Ne nuk duhet të lejojmë zbehjen e kujtimeve të kësaj krize dhe të veprojmë si të mos kishte ndryshuar asgjë”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Javën që shkoi Organizata Botërore e Shëndetësisë u kërkoi vendeve të pasura që të dhurojnë 10 milionë vaksina kundër COVID-19 që të fillonte fushata e vaksinimit në të gjitha vendet e botës në 100 ditët e para të vitit.

Asnjë vend nuk shprehu gatishmëri për të ndarë vaksinat. Nga më shumë se 459 milionë vaksinat e administruara në të gjithë botën, shumica janë shpërndarë në vetëm 10 vende, 28 për qind vetëm në një.

OBSH shpreson që marrëveshja të arrihet deri në maj kur zhvillohen punimet e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë.

Artikulli paraprakGJERMANIA PEZULLON VAKSINËN ASTRAZENECA PËR PERSONAT NËN 60 VJEÇ
Artikulli tjetërCOVID-19, VDEKJET E TË MOSHUARVE BRITANIKË RANË ME 90% PAS VAKSINIMIT