Gati dy të tretat e të gjithë fëmijëve ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre në gjashtë javë që nga pushtimi i Rusisë, tha të hënën agjencia e OKB-së për fëmijë UNICEF, siç shkruan BBC.
OKB-ja ka verifikuar gjithashtu vdekjen e 142 të rinjve, megjithëse ata kanë paralajmëruar se numri aktual është pothuajse me siguri shumë më i lartë.
Manuel Fontaine, drejtor i programeve emergjente të UNICEF-it, i cili sapo u kthye nga Ukraina, tha se të shpërnguleshin 4.8 milionë nga 7.5 milionë fëmijët e Ukrainës në një kohë kaq të shkurtër, është diçka që ai nuk e kishte parë të ndodhte kaq shpejt në 31 vjet punë humanitare.
“Nga 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se kanë mbetur në shtëpitë e tyre, gati gjysma mund të rrezikojnë të mos kenë ushqim të mjaftueshëm,” i tha Fontaine këshillit të sigurimit të OKB-së.
Ai paralajmëroi se situata ishte ndoshta më e keqe në qytete si Mariupol dhe Kherson, ku nuk kishte shërbime të ujit dhe kanalizimeve dhe furnizimi me ushqime dhe ilaçe ishte ndërprerë.
Ndërkohë ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, pretendoi se Rusia ka marrë më shumë se 121,000 fëmijë nga Ukraina dhe thuhet se ka hartuar një projekt-ligj për të thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat e birësimit.
Fontaine tha se deri më tani nuk kishte “asnjë provë” për akuza të tilla, por se UNICEF do të hetonte çështjen.