Deri në vitin 2050 mbi 5 miliardë njerëz do të kenë vështirësi të sigurojnë ujë të pijshëm. Është ky alarmi i ngritur nga Organizata Botërore Meteorologjike, një agjenci e OKB -së, e cila e vlerëson këtë në raportin mbi gjendjen e krizës së ujit në botë.
“Pavarësisht nga disa përparime, 107 vende mbeten larg qëllimit të menaxhimit të burimeve të tyre ujore në mënyrë të qëndrueshme deri në vitin 2030”. Në peizazhin e një klimë globale që ndryshon me shpejtësi, rreziqet e lidhura me ujin mbeten në krye të listës.
“Përmbytjet dhe thatësira janë në rritje për shkak të ndryshimit të klimës. Pritet që numri i njerëzve që vuajnë nga furnizimi me ujw të rritet në mënyrë dramatike, si për shkak të rritjes së popullsisë ashtu edhe rënies së disponueshmërisë. Menaxhimi, monitorimi , parashikimi dhe paralajmërimi i hershëm janë të fragmentuar dhe të papërshtatshëm, ndërsa përpjekjet financiare globale për klimën janë të pamjaftueshme”, shpjegon OMM.
Shiu dhe stinët bujqësore ndryshojnë, një efekt domino që ndikon në shëndetin, ushqimin, higjienën dhe mirëqenien e njerëzve. Në vitin 2020, dy miliardë njerëz jetuan në vendet ku është e vështirë të gjesh ujë të pijshëm, ndërsa 2.3 miliardë nuk kishin higjienë bazë. Të dhënat e raportuara në raportin e OMM nuk lënë vend për interpretim. Shtatëdhjetë e pesë vende raportuan nivele nën mesatare të efikasitetit të ujit, 10 vende nivele jashtëzakonisht të ulëta.
Grumbullimi i ujit tokësor është ulur me një normë prej 1 centimetër në vit, dhe vetëm 0.5% e ujit në Tokë është i përdorshëm dhe i disponueshëm. Numra këta që të trembin. Që nga viti 2000, fatkeqësitë mjedisore të lidhura me përmbytjet janë rritur me 134%, me në krye Azinë, me numrin më të lartë të vdekjeve dhe humbjeve ekonomike. Nga Japonia në Kinë, dhe më pas Indonezia, Nepali, Pakistani dhe India, ato vende ku, për shkak të përmbytjeve, miliona njerëz u zhvendosën dhe qindra vdiqën”, thuhet në deklaratën e Petter Taalas, sekretarit të përgjithshëm të OMM. Nga ana tjetër, kohëzgjatja dhe numri i periudhave të thatësirës u rrit me 29%, një situatë kritike veçanërisht në Afrikë. Por edhe në Evropë përmbytjet katastrofike kanë shkaktuar qindra vdekje dhe dëme masive, shtoi Taalas, i cili theksoi se “ne duhet të zgjohemi nga kriza e ujit”.