Mjekët e spitalit të Onkologjikut dhe personat e tjerë të përshirë në dosjen e Onkologjikut dalin sot para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Një prej mjekeve, Alketa Pere tha për gazetarët se është e pafajshme dhe nuk i ka orientuar kurrë pacientët me tumor në privat.
“Nuk kam asnjë koment. Kurrë në jetën time se kam bërë këtë gjë, që pacienti me kancer të shkojë në privat. Duhet të trajtohet në onkologjik, duhet të hetohen spitalet private për aktivitetin që kryhet. Duhet ndryshim rrënjësor në Onkologjik. Sot kam ardhur të mbroj veten time, jam e pafajshme”, tha Pere.
Por në valën e këtij skandali, mjekja gjeti kohë edhe të merret me fotot që i janë publikuar në media. Ajo u thotë gazetarëve se i kanë shtrembëruar fotot.
A i keni orientuar klientët në klinikë private?
Mjekja: Unë kam 10 vite….Prit moj 1 minutë, prit, një nga një. 1 minutë mi. Më keni mërzitur ju gazetarët, më keni shtrembëruar gjitha.
Vetëm foto ju interesojnë zonjë?
Mjekja: Po më interesojnë edhe ato fotot me sy kështu, me sy ashtu.
Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. 7 masa sigurie u vendosën pas hetimeve që zbuluan një skandal në spitalin onkologjik në QSUT. Pacientëve me sëmundje tumorale nuk u ofrohej shërbimi, dhe përmes disa mjekëve dhe stafit të përfshirë, orientoheshin në klinikën e onkologut Edmond Gashi. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës zbuloi se ilaçet nxirreshin jashtë spitalit dhe shiteshin në disa farmacive në Tiranë. Radioterapia nuk u vu kurrë në punë edhe pse aparatura dhe lënda e rrezikshme kimike “Kobalto” ka qenë prezente në spital prej vitit 2021.