Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 16-të të megaoperacionit policor antikanabis në nivel qarku, të koduar “Imazhi”.Gjatë kësaj faze, si rezultat i kontrolleve nga toka dhe me dronë, në zona të thella malore të fshatit Gerrnac, Milot, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara 615 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Për këto raste kultivimi, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 5 shtetas, banues në fshatrat Gerrnac dhe Vinjollë, njësia administrative Milot, autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve narkotike. Vijon puna për kapjen e këtyre shtetasve.Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. B., 51 vjeç (me detyrë kryetar i fshatit Gerrnac) dhe M. Gj., 37 vjeç (me detyrë inspektor i pyjeve të zonës ku u gjetën bimët narkotike).

Ndërkohë gjatë 15 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshme të qarkut, u asgjësuan në total, nëpërmjet djegies, 18 366 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve dhe fidanëve narkotikë. Gjithashtu, u procedua në gjëndje të lirë, për shpërdorim të detyrës, 1 kryetar fshati.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakMASAT PËR ZJARRET GJATË VERËS
Artikulli tjetërPISHINAT NË SHKODËR, HYSA: UJI BRENDA STANDARTEVE