Operacion kombëtar anti-kanabis,policia në kërkim të farave

Ndryshe nga vitet e kaluara, puna për goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit, ka nisur shumë më herët këtë vit. Prej 2 ditësh, me urdhër të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri në mbarë vendin ka nisur një operacion masiv për kontrollin e territorit. Mbi 3 mijë forca policore kanë ushtruar kontrolle në sera dhe zona të thella, ku dyshohet se kultivohen kubikët e hashashit. Top Channel ndoqi nga afër aksionin e forcave të komisariatit nr 6 të kryeqytetit në fshatrat Ndroq dhe Pezë. Përveç serave, kontrolle janë ushtruar edhe në ish-depot e ushtrisë, tunele dhe banesa të braktisura. Në planin e veprimit është përfshirë edhe shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesave. Inspektorët e kësaj strukture po monitorojnë nga afër zbatimin e planit të masave ndërsa porosi e veçantë u është lënë edhe policisë kufitare dhe doganave, pasi koha e aksionit përkon me periudhën kur policia ka informacione, se në vend mund të trafikohen nga jashtë sasi të mëdha të farave të kanabisit. Urdhri i ministrit të Brendshëm, parashikon kontrolle të vazhdueshme, pasi këtë vit, synohet që kultivimi i kanabisit të luftohet që në fazat e para. Kontrollet do vijojnë edhe në ambiente të hapura, apo banesa, mbi bazën e informacioneve që po grumbullon policia.

Artikulli paraprakARRESTOHET SHQIPTARJA QË FINANCONTE TRAFIKUN E DROGËS NË AMERIKËN LATINE
Artikulli tjetërKUSHTET E PD, RAMA: QIQRA NË HELL, SHQIPËRIA DO VETTING-UN