Një aksion i madh policor kundër plantacioneve të paligjshme të kanabisit ka nisur në pesë vende të BE. Mediat belge njoftuan se operacioni po drejtohet kundër “mafias shqiptare”.

Operacionet policore janë duke u zhvilluar me ndihmën e Interpolit edhe në Francë, Itali, Britani të Madhe dhe Holandë.

Sipas burimeve gjyqësore, hetimi i cili ka filluar që para një viti në qytetin Mons të Belgjikës, synon zbulimin e shumë plantacioneve të kanabisit të cilat kontrollohen nga mafia shqiptare. Në kuadër të operacionit, nga e mërkura e deri më sot janë arrestuar rreth shtatëdhjetë persona.

Bastisjet e policisë po zhvillohen edhe në Gjermani e Greqi. Sipas medias belge, disa prej të arrestuarve janë pjesëtarë të “mafias shqiptare”, shumica e tyre me qëndrim të parregullt në Belgjikë dhe me urdhër dëbimi. Personat e ndaluar janë vendosur në qendra të mbyllura për të huajt.

Sipas Europolit mafia shqiptare merrej me kultivim dhe trafik kanabisi dhe lëndë të tjera narkotike, prostitucion dhe pastrim parash. Më operacion morën pjesë mbi 600 oficerë policisë.

“Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të mbetet një shqetësim për vendet në Evropë. Në mars, ekspertët mbi krimin shqiptar u mblodhën në selinë qendrore të Europol në Hagë për të diskutuar mënyrat për t’i trajtuar më mirë këto klane të dhunshme të mafias.

Operacionet e mëtejshme të këtij lloji pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt” thuhet në njoftimin e Europolit.

Artikulli paraprakRAMA BËN IRONI ME PROTESTUESIT E KUKESIT: S’KA PYLL PA DERRA
Artikulli tjetërU PËRPLAS TEKSA KALONTE RRUGËN, VDES 87-VJEÇARI