Vau i Dejës/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Corn”, si rezultat i kontrolleve të Policisë, në çdo skaj të territorit, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Asgjësohen 2100 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në fshatin Mjedë.
U kap në flagrancë, teksa kujdesej për bimët narkotike që i kishte kultivuar nëpër tokën arë të mbjellë me misër, vihet në pranga 28-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve me skuadra të Policisë dhe me dronë të rezolucionit të lartë, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me mbështetjen dhe të informacioneve nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Corn”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi S. Gj., 28 vjeç, banues në fshatin Gur i Zi, Shkodër.
28-vjeçari u kap në flagrancë, në një tokë arë të marrë me qira, në fshatin Mjedë, teksa kujdesej për bimët narkotike që i kishte kultivuar nëpër bimë misri, për t’i fshehur.
Në këtë sipërfaqe toke u gjetën të kultivuara 2100 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese të vogël të tyre, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast kultivimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.