Kreu i SPAK, Arben Kraja, në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e SPAK.

‘Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.75/2022. Byroja Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim të ngushtë kanë kryer veprime të shumta hetimore në drejtim të zbulimit të autorëve të disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme. Përkushtimi dhe angazhimi policisë gjyqësore të këtyre dy strukturave të përfshirë në hetime, nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, bëri të mundur që pas hetimeve intensive dhe të shumta të grumbullohen prova në drejtim të shumë ngjarjeve kriminale të ndodhura dhe të autorëve të tyre.

Fillimisht Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 14.04.2022, procedimin penal nr.75, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2 ne lidhje me nenin 22, 278, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal; si dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashkuar nga neni 278 dhe neni 302 të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve, janë zbuluar të dhëna të rëndësishme lidhur me disa vrasje të kryera në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, vrasje të mbetura në tentativë, krijimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, vjedhje me dhunë dhe armë, vepra dhune, shkatërrim prone me lëndë plasëse, etj. Si rrjedhojë e këtyre të dhënave janë tërhequr dhe studjuar dosjet penale që kanë të bëjnë me këto ngjarje penale. U tërhoqën dosjet e 18 procedimeve penale të ndryshme dhe u bashkuan në një procedim të vetëm me procedimin nr. 75/2022. Pas studimit të tyre, mekanizimit të kryerjes së veprave penale, motivit apo konfliktit, veprimeve hetimore në secilën prej tyre, të analizuara këto në raport me të dhënat e reja të disponuara, u evidentuan të dhëna në drejtim të identifikimit të autorëve të dyshuar të këtyre veprave penale.

Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës. Durrësit dhe Elbasanit. Në Elbasan 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe. Këta grupe kriminale jane dedikuar në veprat penale në dem të jetes dhe shëndetit si edhe në drejtim te pasurisë. Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale eshte dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtare të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri- tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma te medha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtare. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të larte rrezikshmërie shoqërore.

Në kuadër të këtij procedimi penal pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 42 datë 17.05.2022 të Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë caktuar masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg” për 32 shtetas.

Po kështu me vendimin 18.05.2022 te Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është autorizuar kontrolli i banesës dhe i vendeve në pronësi të 28 shtetasve.’- njofton SPAK.

Artikulli paraprakOPOZITA BIE DAKORD, 4 EMRA PËR PRESIDENTIN, 2 MEDIU DHE DODA, DHE 2 GRUPI I ALIBEAJT
Artikulli tjetërSHKOLLA “HAMDI BUSHATI” 70% E NXËNËSVE TË PUNËSUAR