Kontrolle intensive, nga toka dhe ajri, në bashkëpunim me Guardia di Finanza në qarkun e Lezhës. Finalizohet faza e gjashtë e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, shkatërrohen 31 sera të vogla me 3510 bimë narkotikë cannabis sativa. Arrestohet 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, si autorë të dyshuar për kultivimin e këtyre bimëve narkotike.

Si rezultat i punës intensive në çdo skaj të qarkut, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin organizuan fazën e gjashtë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të nisur që në muajin prill, nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë. Gjatë kontrolleve në fshatin Skuraj, Kurbin, në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë malore, u gjetën dhe u shkatërruan 31 sera të vogla, brenda të cilave ishin të kultivuar 3510 bimë narkotikë cannabis sativa.

Si rezultat i hetimit intensiv proaktiv, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i kësaj veprimtarie kriminale, arrestimi i shtetasit D.M., 44 vjeç, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit F.M., 34 vjeç, si dy nga autorët e dyshuar të këtyre tentativave për të kultivuar bimë narkotike. Vijon puna për kapjen e 34-vjeçarit. Gjithashtu, nga hetimi janë identifikuar dhe autorë të tjerë të kësaj veprimtarie kriminale, të cilëve, për shkak të konfidencialitetit të hetimit, nuk mund të bëhen me dije të dhëna. Megaoperacioni policor antikanabis “Imazhi”, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakPRESIDENTI BEGAJ SHPALLET ‘QYTETAR NDERI’ NGA KOMUNA E ROSHANOS NË ITALI
Artikulli tjetër“SULM I HAPUR I RAMËS NDAJ GJUHËS SHQIPE”, BERISHA: ALBANOLOGJIA NË VARËSI TË GJINUSHIT, AKT ANTI-KOMBËTAR