Shkodër/Siguria e turistëve dhe vizitorëve vendas dhe të huaj, prioritet për Policinë.
Kontrolle të befasishme në liqenin e Komanit, për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së turistëve dhe vizitorëve që frekuentojnë liqenin e Komanit.
Nis operacioni policor i koduar “Komani”, bazuar në informacionet e siguruara dhe në ankesa nga turistë dhe vizitorë.
Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Vau i Dejës, Policia Kufitare e Shkodrës, FNSH Shkodër, në bashkëpunim me Autoritetin Portual të Durrësit.
Bllokohen 5 varka artizanale dhe ndëshkohet me masë administrative nga 10 000 lekë të rinj, secili nga drejtuesit e tyre.
Bllokohet dhe një traget, si dhe procedohet penalisht pronari i tij.
Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave të hartuar me qëllim kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, në liqenin e Komanit, për mënyrën e përdorimit dhe për pajisjen e tyre me dokumentacion të plotë, nisur dhe nga informacionet e siguruara se në liqen kishte mjete lundruese të pasigurta, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor për sigurinë e turistëve dhe vizitorëve të liqenit, të koduar “Komani”.
Si rezultat u bllokuan 5 mjete lundruese varka të ndërtuara në mënyrë artizanale dhe u ndëshkuan drejtuesit e tyre, me masë administrative, me nga 10 000 lekë të rinj secili.
Gjithashtu, u bë bllokimi i një mjeti lundrues traget në pronësi të shtetasit Gj. G., pasi gjatë verifikimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kalatën e liqenit të Komanit, është konstatuar se ky traget ishte i paregjistruar në organet tatimore, kishte punonjës te paregjistruar, si dhe mungonte leja e drejtimit për guidimin e tij.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Gj. G., 53 vjeç, banues në Shtoj i Ri, Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Operacioni “Komani”, për kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, për sigurinë e turistëve dhe vizitorëve në liqenin e Komanit, vijon.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë operatorët turistikë, poseduesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, që të pajisjen me dokumentacionin e plotë tatimor për ushtrimin e kësaj veprimtarie tregtare, si dhe që të pajisen me dëshminë e aftësisë (leje guidimi), me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së pushuesve dhe vizitorëve.
Gjithashtu, ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo paligjshmëri që mund të hasin në këtë fushë dhe në çdo fushë tjetër.