Debatet e forta mes opozitës e maxhorancës kanë sjellë ndërprerjen e seancës plenare, e fundit për këtë sesion parlamentar. Janë disa temat që kanë sjellë akuza dhe kundërakuza mes palëve.

Me debate ka nisur seanca e sotme plenare, e cila do të jetë e fundit për këtë sesion parlamentar. Maxhoranca futi në rend dite projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe ndryshimi i rendit të ditës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla solli revoltën e opozitës, e cila tha se nuk ishin të mjaftueshme votat.

Opozita ka kundërshtuar diskutimet, ndërsa kërkon interpelancë me Ramën për inceneratorët. Berisha tentoi të merrte fjalën, por Nikolla nuk ia mundësoi këtë gjë.

Sipas Nikollës, rendi i ditës u ndryshua me 69 vota pro, gjë që u kundërshtua nga deputetët e opozitës duke thënë se nuk kishte kuorum, e se kishte më pak deputetë të pranishëm në sallë.

“Ishin më shumë se 54 deputetë”, tha më tej Nikolla gjatë seancës.

Më tej, fjalën e mori deputeti i PD Edmond Spaho i cili kërkoi që votimi të bëhej në mënyrë elektronike.

“Ju falsifikuat rezultatin e votimit, kthejeni dhe bëjeni me votim elektronik. Kur falsifikoni në mes të ditës votat, imagjinoni se çfarë i bëni kutive të votimit’- tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.

Në seancën e sotme do të diskutohen raportet vjetore të disa institucioneve shtetërore, si dhe do të shqyrtohen aktet normative dhe projektligje të rëndësishme.

Artikulli paraprakAKSIONE ANTIKANABIS NË QARKUN LEZHË
Artikulli tjetërFORMACIONI I VLLAZNISË NDAJ LINFIELD