Opozita del në shesh: Më 18 shkurt nisin protestat

Opozita do t’u kthehet protestave. Ky është vendimi i marrë nga Kryesia e Partisë Demokratike, e mbledhur këtë të mërkurë. Protestat nisin më 18 shkurt dhe qëllimi janë “zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Sipas Partisë Demokratike, identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik janë kushtet minimale për zgjedhje të lira. Çështja e zgjedhjeve u theksua edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur gjatë pjesës publike të mbledhjes së Kryesisë. “Zgjedhjet e lira e të ndershme janë potencuar si kusht i panegociueshëm për integrimin e vendit, por duket se Rilindja e 1 prillit ka vetëm një qëllim: të ruajë me çdo kusht gjendjen aktuale, të ruajë status quo-në, ta mbajë të pandryshuar për t’u pasuruar”, ka akuzuar Basha Qeverinë. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ftuar qytetarët të dalin në protesta më 18 shkurt në Tiranë për të kundërshtuar arrogancën, vjedhjen dhe abuzimin qeveritar. Në një status në Facebook, kreu i demokratëve thekson se qytetarët do të mblidhen për të mbrojtur lirinë e votës. “I ftoj të gjithë bashkëqytetarët në një manifestim kundër qeverisë më 18 shkurt, në Tiranë. Të protestojmë bashkë kundër padrejtësive dhe varfërisë, kundër shëndetësisë që lëngon dhe arsimit të shkatërruar, kundër arrogancës dhe shtypjes qeveritare, kundër drogës, krimit dhe kriminelëve në politikë. Të mbrojmë lirinë për të zgjedhur dhe të tregojmë vendosmërinë për të ruajtur votën. Vetëm me kurajo dhe vendosmëri mund ta kthejmë pushtetin tek njerëzit”, shkruan në Facebook kryetari i PD Lulzim Basha

Artikulli paraprakFILMOJNË VDEKJEN ME “AUDI” NË AUTOSTRADË, ECIN ME 320 KM/H
Artikulli tjetërHAKMERRET PËR VRASJEN E GRUAS DHE VENDOS PISTOLETËN MBI VARRIN E SAJ