Kuvendi – “Mbetjet” Opozita ikën: Maxhoranca tërhoqi dekretin se s’kishte votat
Pas më shumë se 5 orë debate opozita largohet nga salla e Kuvendit. Deputeti i opozitës Edmond Spaho tha se largimi ishte shenjë proteste për mos reflektimin e qëndrimit të deputetëve të maxhorancës ndaj ligjit të importit të mbetjeve dhe faktit që maxhoranca s’e solli dekretin e presidentit për ta votuar. “Kemi më shumë se 5 orë që po diskutojmë ndërkohë që qindra qytetarë janë në protestë dhe opër fat të keq kryeminsitri vetëm për të nuk foli por iu drejtua sukseseve imagjinare. Ju jeni të pakorigjueshëm dhe ne po vendosim të largohemi duke ju lënë në imagjinatën e sukseseve tuaja të mëdha për këtë vend” tha Spaho para se opozita të largohej nga salla e Kuvendit. Ndërsa në një prononcim jashtë kuvendit deputeti Spaho tha se dekreti ishte për tu shqyrtuar sot por ishte tërhequr nga maxhoranca pasi nuk kanë votat e duhura. Edmond Spaho: “Në rendin e ditës në datën 24 ka qenë për tu diskutuar dekreti i presidentit kundër ligjit të importit të plehrave në mënyrë të njëanshme dhe në thyerje të rregullores maxhoranca e tërhoqi nga rendi i ditës duke bërë lojën e të paditurit. Dekreti ishte për tu shqyrtuar sot dhe ne duhet të votonim por meqë nuk kanë votat atëherë fillojnë bëjnë akrobacira të tilla” Opozita kërkon që shumica të sjellë në kuvend dekretin e presidentit për ligjin e importit të mbetjeve, që sipas tyre, i ka kaluar afati për shqyrtim. Në fillim të seancës nënkryetari demokrat i kuvendit tha se maxhoranca ka frikë ta sjellë në kuvend se nuk i ka votat për ta kaluar dhe i bëri thirrje Metës dhe Idrizit që të mos negociojnë me Ramën për të gjetur rrugë për ta kaluar ligjin e importit të plehrave