Opozita pritet të kthehet sërish në protestë para Kryeministrisë në orën 18:30 të pasdites së sotme.
Vendimi për mbajtjen e të pestës protestë kombëtare radhazi erdhi pas një mbledhje urgjente të mbajtur nga strukturat drejtuese të PD-së dhe aleatët mesnatën e të shtunës.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj opozitarë i kanë ftuar qytetarët sot në një tjetër protestë kombëtare “për Shqipërinë si Europa”, por ndryshe nga manifestinet e tjera antiqeveritare, ky i sotmi do të jetë një marshim proteste.
Qytetarët janë ftuar në këtë marshim proteste për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshne qe punon për mirëqenien e qytetarëve.
Në këtë protestë mungon Sekretari Organizativ i PD, Sait Dollapi, i cili po merr trajtim intensiv në spital nga plagët e rënda të dhunës. Sait Dollapi ka qenë në çdo protestë pikë kontakti për policinë, siç e kërkon ligji, ndërsa sonte do të jetë Sekretari i Burimeve Njerëzore Ervin Minarolli.
Në njoftimin që PD i ka dërguar policisë për marshimin e protestës, u ka kërkuar punonjësve të policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.
“Policia e shtetit, në mënyrë të përsëritur, ka kryer akte dhune ndaj qytetarëve në mënyre kriminale dhe me urdhër politik, për te cilat PD ka kryer kallëzim penal”- thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, duke iu referuar kallëzimit të pak kohëve më parë për përdorimin kriminal të gazit helmues kundër protestuesve paqësorë.
Protesta e 11 majit u shoqërua me episode të njëpasnjëshme dhune që në momentet e para.
Në fillim ishin qeskat me bojë dhe tymueset që fluturuan drejt hyrjes qëndrore të godinës së Qeverisë.
Më pas, njëra pas tjetrës u hodhën për një kohë të gjatë shishe Molotov. E njëjta skenë u përsërit pak me vonë përpara parlamentit.
Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe pompat e ujit.
Shefi i opozitës, Lulzim Basha, në një dalje për mediat të dielën paralajmëroi se “dhuna barbare ndaj qindra protestuesve, ndaj vajzave dhe grave, ndaj figurave politike, ndaj Sahit Dollapit që u dhunua barbarisht vetëm për të dërguar mesazh junte, mesazh mafie, mesazh krimi, për të trembur dhe shkurajuar shqiptarët, do të marrë nesër përgjigje proporcionale nga populli i bashkuar dhe i vendosur për të çuar betejën deri në fund”.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vlerësuan maksimalisht qëndrimin e policisë, duke e pranuar se në rastin e ndalimit të zotit Dollapi pati një tejkalim nga ana e efektivëve të FNSH-së.
Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sait Dollapaj, u ndalua para selisë së parlamentit.
Ndërsa ndodhej aty me një kundërgaz në dorë, pati një shkëmbim verbal me një punonjës të policisë i cili dukej se e urdhëronte të largohej, dhe më pas i ka kërkuar kolegëve të tij që ta ndalonin.
Në këtë moment Dollapaj tentoi të ikë me vrap, por u rrëzua ndërsa po largohej. Mbi të u mblodhën disa prej efektivëve të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët e goditën me shkopinj gome dhe më pas e shoqëruan me forcë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Pak orë më pas me urdhër të Prokurorisë së Tiranës ai u transportua në Spitalin e Traumës për mjekim.
Për ngjarjet e të shtunës së 11 majit janë 50 persona të arrestuar , për kryerjen e veprave penale “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Ndërsa 34 të tjerë që po procedohen në gjendje të lirë. Policia bëri të ditur se janë 16 efektivë të saj të cilët janë plagosur “nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave Molotov”.