Sot do të mbahet protesta e gjashtë e opozitës së bashkuar. Vetëm pak orë nga nisja e saj, ambasadat e huaja në Shqipëri u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën ku do të zhvillohet tubimi. Një ditë më parë, reagoi Ambasada Amerikane në Tiranë.

Ajo u bëri apel shtetasve të saj në Shqipëri të jenë të kujdesshëm gjatë ditës së shtunë, kur në kryeqytet do të zhvillohet një protestë e opozitës. Duke qenë se nuk ka një skenar të zbardhur se si do të zhvillohet kjo protestë, Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes, referuar edhe demostratave të së kaluarës ku janë regjistruar edhe akte dhune.

E tërë familja e OSBE-së — Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm e për Evropën i Sllovakisë, Miroslav Lajčak, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së,

George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella — e dënuan fuqishëm përdorimin e dhunës, nga ana e protestuesve, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 11 maj 2019. Ata theksuan të drejtën për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore, por nënvizuan se dhuna është e papranueshme dhe se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. E sjellim në vëmendje këtë deklaratë përpara protestës së 25 majit 2019. Deklarata mbetet po aq e vlefshme sa edhe dy javë më parë. Koktejet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme; reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike.

Artikulli paraprakPOLITIKANI GREK: SHQIPËRISË DO I VENDOSIM VETO PËR NË BE
Artikulli tjetërLEZHA MIRËPRET 7000 TURISTË! ‘UNUM FESTIVAL’ SJELL TE ‘RANA E HEDHUN’ 50 DJ NDËRKOMBËTAR