Në një kohë kur komisionet parlamentare nisin këtë javë diskutimin e projektligjit për median online, përfaqësuesi lirisë së medias në OSBE Harlem Désir kërkon ndryshime të mëtejshme të këtij drafti.
“Asnjë dispozitë në këtë ligj nuk interpretohet në atë mënyrë që të garantojë të drejtën e censurimit ose të kufizimit të lirisë së shprehjes, ose të drejtës së fjalës. Ky ligj interpretohet në përputhje me parimet e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, siç zbatohet në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ”.
Përfaqësuesi lirisë së medias në OSBE Harlem Désir thekson se bazuar në analizën ligjore, duhen disa modifikime shtesë në mënyrë që të sqarohen masat mbrojtëse të lirisë së shprehjes dhe të shmanget rreziku kufizimeve ose sanksioneve të padrejta për ofruesit e mediave elektronike.
“Mundësia e bllokimit të hyrjes në internet tani do të kufizohet në tre vepra të rënda penale: pornografi për fëmijë; promovimi i akteve terroriste; shkelje të sigurisë kombëtare . Rishikimi ligjor i OSBE, megjithatë rekomandon të zëvendësohet nga “bllokimi i hyrjes në internet” me “të urdhërojë heqjen e një pjese të veçantë të përmbajtjes”.
Harlem Désir thotë po ashtu, se pas konsultimeve të mëparshme me qeverinë, projekt-ndryshimet aktuale shprehin qartë që ofruesit e mediave elektronike nuk do të jenë të detyrueshëm të regjistrohen për të kryer aktivitetet e tyre në Shqipëri, por vetëm në baza vullnetare.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Ishte gjithashtu e rëndësishme të sigurohej që agjencia rregullatore, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), nuk do të ketë të njëjtat kompetenca për përmbajtjen e publikimit në internet si kompetencat e gjera që ka aktualisht në sistemet e transmetimit.
Në këtë drejtim, unë vërej se vendimi për ndryshimin e nenit 132/1, është në përputhje me rekomandimet tona e të ekspertëve, pasi do t’i kishin dhënë AMA-së fuqi të reja që mund të kishin ndikim në lirinë e shprehjes. ”
“Ishte parësore të prezantohej një dispozitë që garanton që të gjitha vendimet e AMA-së mund të apelohen para gjykatësit kompetent menjëherë pas miratimit të tyre,” thekson Harlem Désir.