OSBE/ODIHR ka publikuar një raport paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, datë që është shfuqizuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, por që vazhdon të mbrohet nga mazhoranca.

Raporti mbulon periudhën 24 maj-11 qershor dhe aty bëhet një pasqyrë e situatës në vend përpara se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.
Ky mision thekson se zgjedhjet po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike midis mazhorancës dhe opozitës.

“Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe Partisë Demokratike (PD) në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), ku këto të fundit janë tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt.

Partitë opozitare të udhëhequra nga PD-ja kanë organizuar protesta të vazhdueshme, në shumë prej të cilave u vu re prania e dhunës, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. PD-ja dhe LSI-ja, ashtu si edhe disa parti më të vogla opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje”, thuhet në raport.

Aty veçohet edhe fakti që Partia Socialiste po merr pjesë në votime e vetme në të paktën 31 bashki të vendit.

“Në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Më 10 qershor, Presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet për zgjedhjet”, thuhet ndër të tjera në raportin e OSBE.

OSBE thekson se “mjedisi mediatik është i larmishëm, por mediat kryesore perceptohen si të pozicionuara politikisht. Përdorimi i përmbajtjes së prodhuar nga partitë politike në edicionet informative mbetet shqetësim për shumë nga bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it.”

Në deklaratat e mëparshme, drejtuesit e OSBE-së janë shprehur se nuk kanë vëzhguar më parë zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës, gjithsesi, ata do të jenë të pranishëm më 30 qershor, datën e parë të dekretuar nga presidenti Meta.

Artikulli paraprakKAPET VRASËSI SHQIPTAR PAS SHTATË VITESH NË ARRATI
Artikulli tjetërARRESTOHEN NË FLAGRANCË 4 PERSONA, MES TYRE 2 DOGANIERË