Zonat e thella te Shkodrës përballen shpesh me probleme të energjisë elektrike gjatë vjeshtës dhe dimrit. OSHEE për rajonin e veriut ka nisur punën në terren duke u ndalur fillimisht në Lepushë dhe Vermosh të Malësisë së Madhe. Kryeinxhinieri i OSHEE Gjon Bala tha se gjatë dimrit grupet e punës do jenë në terren në zonat malore për të mundësuar furnizimin me energji elektrike.
Grupet e OSHEE përveç riparimit të linjave dhe investimeve po bëjnë edhe kontrolle në biznese dhe familjar për të mundësuar uljen e numrit të abuzimeve me energjinë elektrike.
Zonat malore në qarkun e Shkodrës mes të cilave edhe Lepusha dhe Vermoshi në rastet kur ka përkeqësim të motit shoqëruar me erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe bore përballen me mungesë të energjisë elektrike, kjo si shkak edhe i linjave të vjetruara.
OSHEE ka ngritur një grup pune në Vermosh ndërsa pritet që edhe në zona të tjera të ketë grupe të gatshme terreni ndërsa priten edhe disa investime në rrjetin e furnizimit me energji elektrike.