Prej afro 16 orësh qyteti i Shkodrës qëndroi pa ujë të pijshëm për shkak të një defekti elektrik në linjën që furnizon me energji elektrike nënstacionin e pompave në Dobraç. Grupet e OSHEE me mbështetjen e ndërmarrjes së ujësjellës kanalizime të qarkut Shkodër u angazhuan që në orët e mëngjesit për të gjetur defektin në kabullin nëntokësor të OSHEE që furnizon nënstacionin e Dobraçit. Në orët e mbrëmjes pas ardhjes së mjeteve të specializuara të OSHEE nga Tirana u arrit lokalizimi i defektit dhe më pas u bë ndërhyrja për riparimin e tij. Në më pak se një orë pas rikthimit të energjisë elektrike në nënstacionin e pompave në Dobraç nisi furnizimi me ujë të pijshëm në qytetin e Shkodrës duke marrë fund pritja e gjatë prej 16 orësh.

Kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci reagoi duke kërkuar që OSHEE dhe UKQ të marrin masat e duhura që kjo situatë të mos përsëritet. “Pas më shumë se 16 orësh është riparuar defekti elektrik. Përtej angazhimit dhe falenderimit për punonjësit që kanë punuar me orë të zgjatura, kjo është një situatë e patolerueshme. Një defekt elektrik që është konstatuar që në orët e para të mëngjesit ka bërë që një qytet i tërë të vuajë mungesën e ujit të pijshëm me orë të zgjatura. Situatë që më së pakti tregon një mungesë vëmendjeje të OSHEE-së bashkë me UKQ-në, që duhet t’u kishin paraprirë këtyre ngjarjeve në kohë. Pa dashur të hyj në detaje teknike është e papranueshme që stacioni kryesor i furnizimit me ujë i Shkodrës të jetë i varur nga një burim i vetëm energjie ose të mos ketë burime rezervë, ndaj është momenti që OSHEE-ja dhe UKQ-ja të marrin përgjegjësitë që u takojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të këtyre avarive përpara nisjes së stinës së dimrit”. Ndërkohë një sqarim bëri edhe Ndërmarrja e Ujësjellësit e cila thotë:

“Ka qenë një defekt shumë i rëndë dhe mjaft i vështirë për tu identifikuar, për të cilin është dashur edhe ardhja e pajisjeve specifike nga Drejtoria e Përgjithshme e OSHEE Tiranë. Ju falenderojmë për mirëkuptimin tuaj, të cilin e vlerësojmë maksimalisht dhe besojmë se do ta kthejmë me përmirësimin e sherbimeve tona në cilësi e sasi”. Mungesa e ujit të pijshëm për më shumë se 16 orë si shkak të defektit elektrik shkaktoi një situatë problematike për qytetarët e Shkodrës dhe bizneset.

Artikulli paraprakE-MAILI NGA ZVICRA QË PO NGJALL PANIK NË GJITHË FRANCËN! MBI 70 KËRCËNIME TË RREME NË 5 DITË PËR BOMBA
Artikulli tjetërPESHKONIN ME MJETE TË NDALUARA NË LIQENIN E SHKODRËS, PROCEDOHEN PENALISHT 2 SHTETAS