Detaje të reja zbardhen për ngjarjen e një dite më parë kur 21 vjeçari Osman Malja tentoi të vriste një tjetër shtetas. Policia bën të ditur se objektiv i 21 vjeçarit ka qenë mjeku i spitalit rajonal të Shkodrës me inicialet A.T. Sipas policisë Osman Malja ishte porositur nga një i burgosur në burgun e Lezhës për të vrarë mjekun A.T. Deklarata e policisë sqaron se kjo vrasje ishte e porositur nga burgu, nga shtetasi që njihet me dy emra, Eljon ose Esmeraldo Hato 31 vjeç, i cili ndodhet i arrestuar në burgun e Lezhës, për “Vrasje”.

Ende policia nuk bën të ditur se cilat ishin arsyet që i burgosuri Esmeraldo Hato kishte porositur vrasjen e mjekut A.T dhe për të cilën Osman Malja do të ishte ekzekutori, vrasje e cila mbeti në tentativë. Bashkëautor me 21 vjeçarin Malja dyshihet të jetë edhe shtetasi Sh.Rr i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në përgatitjen e vrasjes së mbetur në tentativë. Efektivët e Shkodrës sqarojnë se pas një ndjekje hetimore-proaktive të bërë nga struktura të specializuara, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Shkodër, një ditë më parë u arrit të bëhej arrestimi në flagrancë i shtetasit Osman Malja. I BURGOSURI ESMERALDO HATO POROSITI VRASJEN E MJEKUT Ky shtetas mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh nga policia, e cila kishte në kontroll të plotë lëvizjet dhe veprimtarinë e tij për vrasjen e porositur të mjekut A.T. Forcat e Specializuara të Policisë kanë ndërhyrë duke neutralizuar dhe arrestuar autorin në momentin që ky tentoi të hapë zjarr në drejtim të mjekut A.T me armën e tij tip kallashnikov të kamufluar në një çantë sporti. Në momentin e ndërhyrjes, autori ka tentuar të reagojë edhe ndaj forcave policore por kjo është bërë e pamundur falë veprimeve të shpejta policore në neutralizimin dhe arrestimin e tij. Gjatë këtij operacioni autori Osman Malja ka mbetur i plagosur dhe aktualisht pas ndihmës mjekësore të dhënë, është jashtë rreziku për jetën. Hetimet e mëvonshme të policisë dhe pas marrjes në pyetje u arrit të zbulohej se 21 vjeçari kishte marrë porosi nga Esmeraldo Hato për të vrarë mjekun A.T. Policia thotë se vazhdon hetimi për thellimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij organizimi kriminal, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kryer në bashkëpunim mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtjes pa leje”.

Artikulli paraprakLEHTËSOHET MASA E SIGURISË PËR 5 PUNONJËSIT E TATIMEVE
Artikulli tjetërEuropa League, braktiset ndeshja Kukësi-Legia Varshavë. Sende të forta në fushë