‘Ne e dimë se si është të paguash çmimin më të lartë për lirinë’. Me një mesazh në rrjetet sociale, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tregoi se Kosova i qëndron përkrah Ukrainës në dyvjetorin e pushtimit të saj nga Rusia.
“Ne e dimë çfarë është dhimbja për humbjen e fëmijëve të pafajshëm; për dhunën seksuale në luftë; për varret masive me eshtrat e më të dashurve tanë. Por, liria triumfoi dhe do të triumfojë përsëri. Rroftë Ukraina”, ka shkruar Osmani në platformën X.
Kosova ka strehuar me dhjetëra gazetarë ukrainas që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, e është bërë po kështu pjesë e sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Gushtin e vitit 2023, Osmani qe shprehur se pret që Kievi të marrë një vendim “të guximshëm” për ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën. Pavarësisht se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Prishtina zyrtare nuk ka ngurruar të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për vendin e përballur me pushtimin brutal të Rusisë prej dy vitesh tashmë.