Autoriteti Kombëtar i Kontrollit ka mbyllur dhe gjobitur me 6.1 milionë lekë 4 biznese, në Lushnje, Durrës dhe Fier, për mungesë liçence, kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme dhe produkte të skaduara.
Biznesi i parë është një magazinë ushqimore me shumicë në Lushnje që ushtronte aktivitetin pa liçencën përkatëse, pa sistem gjurmueshmërie dhe pa planin për manualin e vetkontrollit.
Gjatë kontrollit u evidentuan produkte si çarja, puding, biskota apo akullore të skaduara dhe produkte të paetiketuara. Për shkeljet e konstatuara biznesit iu vendos gjobë prej 2.600.000 lekësh dhe mbyllje e tij deri në plotësimin e kërkesave ligjore.
Janë bllokuar dy restorante në Fier pa liçencën përkatëse dhe pa planin për manualin e vetkontrollit. Të dy bizneseve iu vendos gjoba prej 1.500.000 lekësh dhe mbyllje e tyre deri në plotësimit e kërkesave ligjore.
Subjekti i katërt është një restorant në Durrës që ushtronte aktivitetin pa sistem gjurmueshmërie, pa planin për manualin e vetkontrollit, në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare si lagështi apo myk nëpër mure dhe ndryshk në dritare e frigoriferë. Për shkeljet e konstatuara nga trupa e AKU u vendos mbyllja e aktivitetit dhe gjoba prej 500.000 lekësh.
AKU vijon kontrollet në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë ushqimore duke mbrojtur shëndetin dhe interesin e konsumatorëve si dhe duke siguruar vijimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik veror.