Kreu i AKR dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Behgjet Pacolli deklaron se qeveria Kurti me veprimet e saj ka shkatërruar Kosovën dhe marrëdhëniet me aleatët tradicionalë.
Pacolli: Dita e mirë shihet në mëngjes, me veprimet e para kjo qeveri filloi të shkatërrojë Kosovën. Mori vendime të ndërrojë çdo gjë në Kosovë që nuk ishte e Vetëvendosjes. Marrëdhëniet e Kosovës me miqtë e saj tradicionalë shkuan në pikën e tyre më të fundit. Qeveria Kurti ka treguar se nuk ka marrë drejtimin e duhur prandaj kjo qeveri duhet të shkojë ashtu siç e kam votuar. Nuk kam pasur interes të jem pjesë e kësaj qeverie por kam pasur shpresë të madhe se kjo qeveri do të marrë rrugën e duhur. Përkundër rekomandimeve dhe vendimeve të forumit të partisë kam marrë rrezikun mbi vete dhe u kam dhënë votën time për VV. Kam hezituar dhe të votoj për rrëzimin e kësaj qeverie por ka qenë akt mëse i drejtë në këtë kohë.
Ai nuk nguron të heqë paralele mes Kosovës sot dhe Shqipërisë në kohën e diktaturës.
Pacolli: Praktikisht ju them se ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona të mira me SHBA, këtë luks Kosova nuk mund t’ja lejojë vetes. Në Kosovë është tendenca të kthehet një diktaturë e parë. Kosova mund të krahasohet si rrugët e Tiranës në vitet ’70. Sot në shekullin XXI nuk ka kthim mbrapa, nuk ka vend për ideologjitë komunitet, vendi është i drejtuar drejt perspektivës euroatlantike dhe në mënyrë demokratike duhet të ecë përpara.