Pas shtyrjes së fundit të seancës gjyqësore , në ambjentet e Gjykatës Penale është zhvilluar përballja e radhës mes Taulant Ballës dhe Lulzim Bashës lidhur me çështjen e Toyota Auris.

Edhe kësaj here, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zgjedhur që të mos jetë i pranishëm në seancë duke u përfaqësuar nga dy avokatët e tij, Gazment Bardhi dhe Ivi Kaso.

Gjatë seancës, gjyqtari Gerdi Hoxha ka pyetur avokatët e Bashës, Bardhin dhe Kason mbi emrin personin që i ka dhënë informacionin Bashës për përfshirjen e Taulant Ballës në çështjen e Toyota Auris.

Pyetjes së gjyqtarit,avokati Bardhi i është përgjigjur se kreu i PD-së nuk do ta tregojë burimin por ka siguruar se informacioni ishte i saktë.

Informacioni ishte i saktë dhe kjo u provua. E pranon dhe Balla në kallëzimin e tij se Basha është informuar nga një burim i besueshëm pjese e hetimit.

Si kundërpërgjigje ndaj mbrojtjes së Bashës, Balla thotë se me këtë logjikë i bie që e ka informuar ai Bashën pasi kallëzimi është pas deklaratave të kryedemokratit në foltoren e Kuvendit.

Të dënohet Basha për këtë shpifje. S’kam asnjë lidhje as me paratë e as me kriminelët. S’kam dhënë e s’jap garanci për asnjë delikuent. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal ndaj Bashës për tregtim të informacioneve sekrete.

Kësaj deklaratë i është përgjigjur avokati dhe eksperti ligjor në PD, Gazment Bardhi: “Kjo është e pavërtetë. Ndaj Bashës nuk ka asnjë procedim. Ai ka dhënë deklarime në Prokurori dhe ka treguar gjithçka di.”

Seanca e radhës mes të dy politikanëve në ambjentet e Gjykatës Penale është vendosur data 18 dhjetor.

3.4 mln eurot u gjetën në 2 automjete “Toyota Auris” në Portin e Durrësit, për të cilën Basha akuzoi Ballën se ishte i përfshirë, akuza të cilat socialisti i cilësoi si shpifje duke ngritur edhe një padi ndaj tij.

Padia e dytë për të cilën akuzohet Basha është ajo për dekonspirimin e operacionit të policisë pasi ai tha në parlament se drejt Shqipërisë ishte nisur një shumë e madhe parash brenda një automjeti “Toyota Yaris” ngjyrë e kuqe.

Pikërisht kjo deklaratë ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës por devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit.

Më herët Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg pa afat katër personat e arrestuar pas kapjes në portin e Durrësit, Edi e Klevis Lika, Alban Mollaymeri dhe Agim Çeka. Ndërkohë Alfred dhe Elvis Vladi janë shpallur në kërkim.

Artikulli paraprakMARSIDA KONI, INTERPRETUESE IDEALE E MUZIKËS SHQIPTARE
Artikulli tjetërBANORËT NË DITËN E 31-TË TË PROTESTËS, BLLOKOHET RRUGA, PARALIZOHET TRAFIKU