Rritja e pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilën kuvendi e shtyu për miratim për seancën plebare rë radhës, vijon të shkaktojë kundërshtimin e deputetëve të opozitës. Ish-nënkryetarja e PD Jorida Tabaku thotë se vendimi me propozim të qeverisë, cenon pavarësinë e këtij insistitucioni.
“Këto ndryshime për rritje të pagës së Gjykatës Kushtetuese me propozim të qeverisë nuk kanë asnjë lidhje me Reformën në Drejtësi dhe cënojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve të drejtësisë por edhe logjikën e një sistemi hierarkie page që kanë këto institucione.”- shkruan Tabaku
Përmes këtij reagimi që i paraprin votës kundër në parlament të enjten, Tabaku i bashkohet grupit të deputetëve të opozitës, që kanë deklaruar se do të votojnë kundër ligjit për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses. Javën e shkuar, në emër të deputetëve të tij dhe të Sali Berishës, edhe Gazment Bardhi deklaroi se nuk do t’i japin dritën jeshile. Por ligji që kërkon 84 vota, ka mbështetjen e Lulzim Bashës dhe 10 deputetëve që e përkrahin atë. Në nisje të seancës së shkuar plenare, Basha u shfaq me të tijtë nga pas, duke thënë se do të bashkojë votat me socialistët për të kaluar një ligj, që sipas tij, rrit pavarësinë e gjyqësorit.
‘PD do të votojë pro rritje së rrogave të gjyqësorit si një nga hapat që të forcojmë pavarësinë e gjyqësorit. Vetë shoqata e gjyqtarëve do të sjellë propozime. Të sjellë propozime për rritjen pagave të gjithë sistemi gjyqësor. Çdo rritje për gjyqësorin, i shërben pavarësisë së gjyqësorit. S’do bëhemi pjesë e lojërave hidh gurin e fshih dorën.’- tha Basha.
Projekt-ligji për rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është propozuar nga ministria e Drejtësisë dhe parashikon ta çojë në nivelin e 640 mijë lekëve në muaj për anëtarët dhe mbi 700 mijë lekë për kryetarin e kësaj gjykate.