Seanca e parë stërvitore e Vllaznisë pas rikthimit nga Ohri ku zhvilluan fazën përgatitore nuk ka nisur edhe aq mirë për kuqeblutë.

Në momentet përpara nisjes së stërvitjes një prej lojtarëve nuk ka duruar më dhe ka shpërthyer duke i shprehur trajnerit të Vllaznisë Mirsad Jonuz shqetësimin për pagat e prapambetura që për dy muaj nuk janë marrë ndërsa bashkë me muajin janar për kuqeblutë bëhen tre muaj pa u paguar.

Ai që ka ngritur zërin në praninë edhe të stafit teknik është mbrojtësi lezhjan Renato Malota. Shtatlarti ia ka bërë të qartë trajnerit Jonuz pakënaqësinë e tij për pagat e prapambetura, një histori tek Vllaznia që nuk gjen zgjidhje prej vitesh. Mbrojtësi Malota i ka treguar trajnerit se në rast se kjo situatë nuk zgjidhet shpejt dhe pagat nuk jepen brenda pak kohësh atëherë ai edhe mund të largohet nga Vllaznia.

“Kemi dy muaj pa u paguar. Janari bëhet muaji i tretë. Kjo nuk është aspak normale dhe nuk mund të presim gjithmonë kështu. Unë dua paratë e mia ashtu si i duan të gjithë ose në të kundërt unë largohem nga ekipi. Flas me administratorin Suad Lici dhe unë iki nga Vllaznia nëse nuk paguhem. Kjo duhet të zgjidhet dhe unë nuk e pranoj. Ose të na japin pagat ose largohem”, ka deklaruar i irrituar Malota dhe me tone të ngritura përpara nisjes së stërvitjes.

Pas këtyre fjalëve dhe këtij kërcënimi për t’u larguar nëse nuk paguhet trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz i është përgjigjur Malotës por edhe gjithë lojtarëve të tjerë që kanë të njëjtat pretendime se ai nuk është as administratori dhe as drejtues klubi por është thjeshtë trajneri dhe se nuk ka lidhje me pagat. Këtë duhet ta zgjidhni me drejtues dhe jo me mua ka thënë Jonuz sepse unë jam thjeshtë trajner dhe nuk mund të bëj asgjë në këtë aspekt.

Ashtu si Malota mendojnë edhe shumë lojtarë të tjerë të Vllaznisë të cilët në biseda të ndryshme e kanë shfaqur shqetësimin e tyre për pagat e prapambetura prej dy muajsh.

Sipas burimeve lojtarëve u është thënë që do i merrnin pagat në janar por në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe më pas i është thënë se duhet të presin muajin shkurt që e cila i ka irrituar ata duke i bërë që të irritohen si në rastin e Malotës që e shfaqi hapur mosdakordësinë e tij për këto vonesa në paga.

Tashmë duhet pritur se cili do të jetë vendimi i Malotës, nëse do largohet nga Vllaznia apo do të presë që ta zgjidh me drejtuesit çështjen e pagave.

Artikulli paraprakJONUZ: VLLAZNIA EKIP MË I MIRË, NJË SHANS PËR EUROPËN
Artikulli tjetërVLLAZNIA, LIKA: TË RENDITEMI LART, KAMPIONATI MË I ASHPËR