Pagesa e taksave me këste, tatimet: Ja bizneset që e përfitojnë

Bizneset në vështirësi financiare mund të paguajnë më këste detyrimet tatimore në shtet. Administrata Tatimore njoftoi se do të shqyrtojë rast pas rasti të gjitha kërkesat e bizneseve që do të kërkojnë shlyerjen e taksave më këste. Në një material të posaçëm udhëzues, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar rrethanat se kur bizneset mund të përfitojnë nga ky lehtësim dhe proçedurat që ata duhet të ndjekin. “Tatimpaguesi duhet të vërtetojë që është në kushtet e pamundësisë financiare për të paguar të plotë detyrimin tatimor si dhe të tregojë që pavarësisht nga rrethanat financiare, ai është në gjendje të përmbushë marrëveshjen,”- thuhet në udhëzimin e Tatimeve. Bizneset nuk e përfitojnë shlyerjen me këste nëse ndaj tyre ka filluar procedura e shitjes në ankand të pasurive të konfiskuara për efekt të atij detyrimi tatimor të pashlyer. Kërkesa Bizneset duhet ta bëjnë kërkesën me shkrim për drejtorin e Drejtorisë Rajonale. Sipas udhëzimit,kërkesa duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga data kur njoftimi i vlerësimit konsiderohet të jetë marrë. Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës dhe nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe drejtori i drejtorisë rajonale apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të. Për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste tatimpaguesi detyrohet të paguajë menjëherë të paktën 20% të vlerës së detyrimit për të cilin lidhet marrëveshja. Marrëveshja e pagesës me këste lidhet për një periudhë që fillon nga data e firmosjes deri në fundin e vitit të ardhshëm kalendarik pas momentit të hartimit të marrëveshjes. Me nënshkrimin e një marrëveshje për pagesë me këste të një detyrimi tatimor vazhdon të paguhet kamatëvonesë për detyrimin tatimor, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Artikulli paraprakISHSH – NUK ZBATUAN URDHËRIN PËR TU MBYLLUR, GJOBITEN 4 INSTITUCIONE ARSIMORE
Artikulli tjetërTAHIRI LETËR INTERPOL: ANULONI URDHËR ARRESTIN PËR HARADINAJN