Pagesat e shpejta elektronike janë një tjetër lehtësi në modernizmin e shërbimeve financiare për konsumatorët dhe bizneset shqiptare, duke garantuar më pak kosto kohore dhe monetare. Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ka nisur një projekt pilot për ta testuar këtë platformë të re nga fatura e kafes e deri te pagesat utilitare si drita, ujë, gjoba etj, i cili u prezantua sot në një prej bizneseve të njësisë nr.5 në kryeqytet. Projekti synon të lehtësojë procesin e pagesave dhe të promovojë përdorimin e teknologjive moderne në shërbimet financiare. Përmes kësaj iniciative, qeveria shqiptare dhe institucionet financiare synojnë të ulin përdorimin e pagesave me para fizike, të rrisin përdorimin e teknologjive dixhitale, të promovojnë inovacionin në sektorin financiar dhe të përmirësojnë përfshirjen financiare për të gjithë qytetarët. Deri në korrik të këtij viti të gjitha bankat do të krijojnë akses për një gamë më të gjerë të pagesave online
Në prezantimin e projektit pilot ishte së bashku me qytetarët edhe Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj.
“Kemi përfunduar fazën e përzgjedhjes së gjithë individëve në tre qytete, në Tiranë, njësinë 5, në Peshkopi dhe në Përmet. Kemi lidhur kontrata me të gjithë individët dhe nga java e ardhshme do të vazhdojmë të kryejmë pagesat nëpërmjet modeleve elektronike. Sot do të fillojë testimi i pagesave. Janë përzgjedhur 8 kompani të cilat janë gati për t’u testuar. Qëllimi i gjithë projektit është në fakt të kuptojmë të gjithë vështirësitë që mund të ketë individët në përdorimin e këtyre pagesave. Kohët e fundit ne jemi të gjithë të angazhuar drejt inovacionit, po një element kyç i inovacionit janë pagesat elektronike.” – shpjegoi Ministrja Ibrahimaj, e cila theksoi se zbatimi i projektit do të testojë edhe qasjen e publikut ndaj kësaj risie.
“Nëpërmjet këtij piloti ne duam që në radhë të parë të shohim se si sillet publiku me këto lloj pagesash dhe në radhë të dytë testojmë të gjithë sistemet që nga korriku i këtij viti do të jenë të gjitha online, pasi të gjitha bankat kanë detyrimin të implementimit të direktivës Open Banking që i jep një shtysë më shumë përdorimit të pagesave elektronike. Në përfundim të këtij piloti ne do të mbledhim të gjitha të dhënat, dhe siç kanë bërë të gjitha vendet e tjera, duhet të vendosim një target për % e pagesave që duhet të bëhen nëpërmjet pajisjeve elektronike në të ardhmen.” – u shpreh ajo.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se pagesat elektronike janë një përparësi për konsumatorët. “Konsumatorëve një herë kjo iu jep një avantazh shumë të madh sepse nuk mbajnë lekë nëpër xhepa, kontrollon gjatë gjithë kohës financën dhe mbi të gjitha kjo bën që mos të ketë dhe evazion nga ana e bizneseve të Tvsh-së. Plus që kjo ka dhe të mirën që s’ka komision, domethënë është më e lirë sesa përdorimi i kartës dhe sesa transaksionet që bëhen nëpërmjet bankës. S’ndryshon asgjë. Vetëm ndryshon transaksioni nga “fut dorën në xhep, ver para merr para, i kam s’i kam”, ndërkohë që ajo bëhet shkas pastaj edhe për shumë evazion në sensin që e mori dyqani lekun, nuk ta dha faturën, faktikisht iku një pjesë e detyrimit karshi vet qytetarit përmes shtetit kuptohet. Vetëm të mira ka kjo!” – u shpreh Kryeministri Rama. Projekti Pilot do të zbatohet për periudhën kohore Maj-Gusht 2024 në Tiranë, Peshkopi, Përmet. Kryerja dhe konfirmimi i pagesës në kohë reale përmes portofolit elektronik që ofrojnë institucionet financiare, realizohet përmes QR code të faturës së fiskalizuar.