Paga mesatare mujore në Shqipëri ka pësuar rritje ne muajt e fundit të vitit 2022. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mujore bruto kapi vlerën mbi 66 mijë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë historik, me një rritje prej 10.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, personat që punojnë në sektorin financiar vijojnë të jenë më të mirepaguarit në vend. Në tremujorin e fundit 2022, paga mesatare në këtë sektor arriti në 142 mijë lekë, me një rritje prej 16.4% krahasuar me një vit më parë. Institucionet financiare kanë rritur pagat për punonjësit e tyre, për shkak të inflacionit të lartë që përfshiu vendin, por edhe si pasojë e mungesës së profesionistëve . Pas sektorit financiar edhe ai i komunikacionit rezulton me pagesa të larta për punonjësit të cilët marin mestarisht 103.5 mijë lekë në muaj ose rreth 14% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër sektori i bujqësisë dhe ai i ndërtimit renditen të fundit përsa i përket nivelit të pagave, përkatësisht me 42.4 mijë lekë në muaj dhe 51 mijë lekë . Por edhe në këto dy sektorë dy muajt e fundit pagesat janë rritur. Rritja e pagave vlerësohet se është nxitur nga trysnia e administratës për formalizim dhe nga rritja e pagës minimale, por njëkohësisht edhe si pasojë e mungesës së stafit të kualifikuar. Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu që edhe shkalla e papunësisë në vend është ulur ndjeshëm gjatë muajve të fundit duke kapur nivelin 10.6%. Shkalla e papunësisë ka pësuar rënie si për burrat edhe për gratë, ndërkohë që mbetet më e theksuar në grupmoshat e reja përkatësisht për moshën 15 deri në 29 vjeç.