Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përsëriti edhe njëherë thirrjen për qytetarët që t’I bashkohen sot opozitës në shesh përpara kryeministrisë në protestën e parë kundër kreut të qeverisë, Edi Rama.
Duke folur për mediat në mjediset e Kuvendit, ai tha se si çdo protestë edhe kjo e sotmja ka skenarin e saj. “Kundër politikës së çpopullimit të Shqipërisë, kundër manipulimit të votës dhe sistemeve elektorale, protestojnë fuqishëm mbarë shqiptarët. Dua të shpreh mirënjohjen dhe ftesën time për qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të bashkohemi në orën 7 para kryeministrisë për të shprehur me protestën tonë vendimin e shqiptarëve për shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi i kleptokratik i Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Cili është skenari i protestës?
Protesta ka skenarin e vet. E rëndësishme është që ne të japim mesazhin tonë të fuqishëm se shqiptarët nuk do ta tolerojnë më këtë regjim.
Do vijojnë protestat?
Kjo është protesta që inauguron procesin e largimit të Edi Ramës nga pushteti. Protestat ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin e tyre madhor.