Punësimi tejet i pakët i personave me aftësi të kufizuar qoftë në institucionet shtetërore por edhe në biznese është një problem që në Shqipëri ende nuk ka marrë zgjidhje. Një gjë të tillë e bëri të ditur drejtorja rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit Rozafa Zmijani, gjatë projektit “Accent” që zbatohet nga Caritas Albania .

Sa i përket kurseve profesionale, shumë prej personave me aftësi të kufizuar nuk mund t’i realizojnë gjë që do i ndihmonte për t’u punësuar për shkak se nuk kanë arsimimin.
Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra deklaroi se institucionet duhet të bëjnë më shumë për përmirësimin e kushteve të personave me aftësi të kufizuar sa i përket punësimit dhe zhvillimit të tyre.

Drejtorja e shërbimit social në bashkinë Lezhë Marte Feta u shpreh se një shqetësim në gjithë Shqipërinë është se për personat me aftësi të kufizuar mbi 25 vjeç nuk ka as shërbime dhe as qendra rezidenciale.

Personat me aftësi të kufizuar vijojnë që të përballen me probleme të ndryshme duke nisur që nga mentaliteti i shoqërisë dhe deri tek mungesa e shërbimeve apo mos zbatimi i ligjeve për këtë shtresë personash. Projekti Accent synon ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe bashkëpunimin me institucione për t’i zgjidhur këto probleme.

Artikulli paraprakZBARDHET VDEKJA E TË BURGOSURIT NË SHENKOLL
Artikulli tjetërSFIDAT E MEDIAS NË SHQIPËRI