Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke iu drejtuar udhëheqësve të Bashkimit Europian që po marrin pjesë në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel, i ka bërë thirrje unionit që të lërë mënjanë mosmarrëveshjet e brendshme dhe të vazhdojë me planet për të miratuar paketën e gjashtë të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë.
Presidenti ukrainas i ka bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së, që të ruajë një ndjenjë uniteti përballë agresionit rus.
“Kjo është koha që ju të mos bëheni të ndarë, por një e tërë. Ukraina ka treguar pse të gjithë duhet të jenë të bashkuar. Ne të gjithë po punojmë për një qëllim. Ju keni arritur të ndaloni pushtuesit dhe më shumë unitet është baza e suksesit. Të gjitha mosmarrëveshjet brenda Bashkimit Evropian duhet të ndalen, sepse ato i japin stimuj Rusisë që të vazhdojë”, tha ai përmes video-lidhjeje me samitin.
Udhëheqësi ukrainas theksoi se megjithëse është mirënjohës për përpjekjet që po bëhen për të avancuar në rastin e paketës së gjashtë të sanksioneve, blloku duhet të vazhdojë me planet për miratimin e sanksioneve.
“Fatkeqësisht për disa arsye nuk është ende në vend. Dhe për disa arsye, ju jeni të varur nga presioni rus. Dhe duhet të jetë e kundërta. Rusia duhet të varet nga ju. Pse Rusia është ende në gjendje të fitojë 1 miliard dollarë në ditë duke shitur naftë? Duhet të ketë një embargo nafte në mënyrë që Rusia të kuptojë çmimin e veprimeve të saj”, tha ai.