Paketën e Rezistencës Sociale kundër pasojave të luftës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka quajtur një tallje e qeverisë me qytetarët, që sipas tij nuk bën gjë tjetër, përveç i zhyt më tepër në mjerim. Basha thotë se ajo që përmban paketa është lëmoshë për qytetarët dhe jo një ndihmë e vërtetë. Ndërkohë, Lulzim Basha ka risjellë në vëmendje propozimet e tij, për të cilat thotë se zgjidhin krizën.

“Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim. Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje. Zgjidhje ka. Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.

Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 %. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 %. Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë”, tha Basha.

Artikulli paraprakRAMA PËR PAKETËN E REZISTENCËS SOCIALE: LUFTA ME BOMBA ZHVILLOHET NË UKRAINË, POR EFEKTI ËSHTË KUDO
Artikulli tjetërVAU DEJËS, DIGJET PUNISHTJA E DRURIT, “ZJARR I QËLLIMSHËM”