TALEBANËT VIJOJNË SULMET NDAJ PERSONAVE TË PAFAJSHËM.Nga sulmi i talebanëve në një shkollë ushtarake në Pakistan kanë mbetur të paktën 126 të vrarë, mes tyre 84 fëmijë, dhe 122 të plagosur. Ndërkohë qindra të tjerë janë ende të mbajtur peng prej tyre në qytetin Peshavar, në veriperëndim të Pakistanit, pranë kufirit me Afganistanin.
Trupat ushtarake kanë rrethuar godinën dhe veprimi për lirimin e pengjeve vazhdon. Sipas raportimeve të fundit, pothuajse i gjithë territori i shkollës është marrë nën kontroll përve një klase dhe zyrës së drejtorit, ku po qendrojnë edhe talebanët. Dy prej 6 sulmuesve janë vrarë deri më tani. Njëri prej tyre ka hedhur veten në erë në një klasë me rreth 60 nxënës, ndërsa tjetri është vrarë nga ushtarët pakistanezë.
Sulmi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në shkollën me 500 nxënës, ku fëmijët janë të moshës 5 deri 14 vjeç. Ata kanë hyrë më pas klasë më klasë duke qëlluar mbi nxënësit deri sa mbërritën forcat e ushtrisë. Shumë prej oficerëve të përfshirë në operacion po përpiqen ndërkohë të shpëtojnë edhe fëmijët e tyre që ishin nxënës në shkollë.Momentalisht brenda godinës kanë mbetur katër talebanët e tjerë që po mbajnë peng rreth 160 nxënës. Talebanët e Pakistanit po luftojnë për të rrëzuar qeverinë qendrore dhe ngritjen e një shteti islamik, dhe janë zotuar së fundmi se do t’i përgjigjen sulmeve të mëdha që ka kryer qeveria ndaj tyre.