Luftëtarët e të ashtuquajturit Shtet Islamik janë detyruar me forcë të largohen nga qendra e qytetit sirian të Palmirës, vetëm pak orë pasi u përpoqën ta rimerrnin atë.
Sulmet ajrore ruse detyruan militantët të tërhiqen më në periferi, bëri të ditur një grup lokal monitorimi. Ushtria siriane ka dërguar gjithashtu përforcime në këtë qytet, duke zhvendosur trupa nga Aleppo, siç raportohet. Shteti Islamik mbajti nën kontroll qytetin e Palmirës, vend i Trashëgimisë Botërore i mbrojtur nga UNESCO, nga maji i vitit 2015 derisa u detyruan të largoheshin prej andej në mars të këtij viti. Grupi, gjithsesi, nisi një ofensivë për ta rimarrë qytetin antik në fillim të kësaj jave, përpara se të hynin në Palmira ditën e shtunë. Për shkak të luftimeve të ashpra, një aktivist nga Palmira tha për “BBC” se qyteti kishte rënë “pak a shumë” në duart e ISIS-it sërish. Megjithatë, Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër deklaroi se “bombardimet intensive” nga avionët luftarakë rusë i kanë detyruar militantët islamikë të tërhiqen drejt zonave pyjore të periferive të qytetit, aty ku luftimet vijojnë ende. Sulmi ndaj Palmirës konsiderohet një pengesë e papritur dhe një tërheqje vëmendjeje për qeverinë e presidentit Bashar al-Assad. Ngjarja ndodhi teksa forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia iu afruan edhe zonave të fundit të kontrolluara nga rebelët në qytetin e Aleppos. Forcat rebele njoftuan të shtunën se kishin ndalur avancimin e forcave qeveritare, në ato pak hapësira që ata ende kontrollojnë në Aleppo. Një prej komandantëve të tyre deklaroi se, një arsye e mundshme për avancimin e ngadalshëm të forcave qeveritare mund të jetë edhe ridërgimi i trupave në Palmira.