Pamjet pas tërmetit në Turqi janë zemërthyese dhe tronditëse, teksa qindra trupa të grumbulluar nëpër stadiume dhe parkingje presin që të identifikohen nga të afërmit e tyre. Banorët në zonat e goditura nga tërmeti kaluan pranë trupave të pajetë, duke hequr me kujdes batanijet që i mbulonin fytyrat e tyre në përpjekje për të identifikuar të afërmit.
Nada, një grua siriane dhe burri i saj turk pyetën një anëtar të ekipeve të shpëtimit se cila ishte mënyra më e përshtatshme për të gjetur mbesën dhe tezen e tyre midis më shumë se 100 trupave të vendosur në parkingun në spitalin Hatay pranë qytetit të Antakya (Antioki) Turqia jugore. Shumë nga të vrarët nga tërmeti që goditi në orët e para të mëngjesit të së hënës, ishin vendosur në thasë të posaçëm ose të mbuluar me batanije, derisa të afërmit ose miqtë i identifikuan dhe i larguan. Trupat u vendosën në tenda ose në trotuar jashtë spitalit. Disa nga të vdekurit kishin etiketa me të dhënat e tyre personale, të tjerët jo. Të afërmit që gjejnë njërin prej tyre marrin një certifikatë vdekjeje dhe leje varrimi nga një prokuror i pranishëm në vendngjarje dhe më pas i transportojnë të vdekurit me automjetet e tyre. Erdem, 36 vjeç, një punonjës i shërbimeve të urgjencës që erdhi nga Izmiri në Turqinë perëndimore, tha se një problem ishte mungesa e morgjeve dhe se koordinatorët po prisnin kamionët frigoriferikë për të vendosur të vdekurit.
Në veri, në Kahramanmaras, pranë epiqendrës së tërmetit, të paktën 100 trupa u vendosën në një fushë, ku banorët shkuan për identifikim.