Ish-lideri ushtarak i Panamasë, gjenerali Manuel Antonio Noriega ka vdekur në moshën 83-vjeçare.
Së fundmi, Noriega i ishte nënshtruar një operacioni, pasi kishte pësuar një hemoragji pas një ndërhyrjeje në tru. Noriega ka qenë një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara, por u lëviz nga posti kur trupat amerikane pushtuan vendin në vitin 1989 dhe më pas u burgos në Amerikë nën akuzat e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Ai e kaloi pjesën e mbetur të jetës në burg, më vonë në Panama, ku u shpall fajtor për vrasje, korrupsion dhe përvetësim. Por ish-lideri u lirua në janar për t’u përgatitur për operacionin për heqjen e një tumori në tru, në fillim të marsit.
Ai iu nënshtrua më pas ndërhyrjeve të tjera kirurgjike për shkak të hemoragjisë, por ndërroi jetë në spital ditën e hënë. Edhe pse nuk ishte zgjedhur kurrë në krye të shtetit, Noriega u bë de fakto lider i Panamasë, duke shërbyer në një mandat 6-vjeçar si guvernator ushtarak i vendit, në vitet ‘80. Fillimisht një mbështetës i fuqishëm i Shteteve të Bashkuara, ai u kthye në aleatin kyç të Uashingtonit në përpjekjet e tij për të mundur influencën e komunizmit në Amerikën Qendrore. Por më vonë Amerikës iu sos durimi nga rritja e pushtetit të tij represiv brenda Panamasë dhe nga të dhënat se po u shiste informacione shërbimeve sekrete të huaja, pa përmendur këtu lidhjet me organizatat e trafikut të drogës.