Pandeli Majko duket të jetë vetëm një hap larg sallës së Parlamentit.
Socialisti ka pranuar të marrë sot karrigen e lënë bosh nga ish deputeti Alqi Bllako, tashmë i arrestuar për korrupsion e shpërdorim detyre me inceneratorin e Fierit.
Majko ka dorëzuar sot në KQZ, formularin e vetëdeklarimit. Pas verifikimit të formularit, do të jetë KQZ që do të vendosë për t’i dhënë ose jo mandatin e deputetit Pandeli Majkos.
Në zgjedhjet e 25 prillit, ku PS arriti të sigurojë 18 mandate në Tiranë, ish-deputeti Majko nuk arriti të thyejë herësin duke u renditur i 19-ti.
Cfarë parashikon Kodi Zgjedhor për zëvendësimin e mandatit?
Në nenin 164, pika 2 thuhet: “Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nën përfaqësuar.
Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nën përfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”.