Mëngjesin e 13 gushtit 2020, Edlira Koça priste që i biri të dilte nga spitali kryesor i COVID-19 në Tiranë dhe të kthehej i shëndetshëm në shtëpi, por mori lajmin e kobshëm të vdekjes. Mjekët kishin vlerësuar se Xhino, 29 vjeç, e kishte kaluar rrezikun nga virusi SARS-CoV-2, por atë mëngjes ai i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i pavijonit ku po kurohej në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Dy vjet e gjysmë më pas, arsyet që e shtynë drejt vetëvrasjes vazhdojnë ta torturojnë nënën e tij. Neglizhenca e problemeve psikologjike dhe e pasojave të tyre në shëndetin mendor është mjaft e përhapur në Shqipëri, por vetëvrasja e Xhino Koçës e tronditi besimin te sistemi shëndetësor gjatë pandemisë. Njëherazi, ngjarja shërbeu si kambanë alarmi për pasojat që COVID-19 po shkaktonte mbi shëndetin mendor të shqiptarëve, efekte që sipas mjekëve psikiatër, do të vazhdojnë të ndjehen gjatë.

“Pandemia ishte një sulm i papritur virusal dhe si të tillë e gjeti të papërgatitur edhe shëndetin tonë mendor. U vu re një trend, i cili rezultoi në një krizë globale për shëndetin mendor, duke ushqyer kështu stresin akut dhe atë kronik. Pra stresin afatgjatë dhe atë afatshkurtër”, thotë Arjana Rreli, mjeke psikiatre prej 30 vitesh në shërbimin ambulator në Tiranë. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se pandemia e COVID-19 e rriti me gati 15% numrin zyrtar të pacientëve që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërkohë që vendi vazhdon të ketë kapacitete të limituara për t’u përballur me këto probleme. Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se po i adreson pasojat e COVID-19 në shëndetin mendor me hartimin e disa strategjive, mes të cilave edhe strategjia kombëtare e shëndetësisë 2021-2030.

“Gjithashtu po hartohet Plani i Veprimit të Shëndetit Mendor 2023-2026, i cili do të ketë në fokus fuqizimin e shërbimeve të shëndetit në përballje të sfidave të lidhura me pandeminë e COVID-19″, shtoi Ministria.

Mungesë kapacitetesh
Teste Per Covid 19 Ne Piken E Kalimit Kufitar Kapshtice
Shqipëria shënon rekordet më të ulëta në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor për numrin e mjekëve psikiatër dhe punonjësit specialistë të shëndetit mendor. Sipas Atlasit të Shëndetit Mendor 2020, një raport krahasues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka 1.6 mjekë psikiatër dhe 13.6 specialistë të shëndetit mendor për 100 mijë banorë; shifra disa herë më të ulëta se Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo Bosnje dhe Hercegovina. Raporti i OBSH vlerëson gjithashtu se vendi investon pothuajse asgjë në studime shkencore për shëndetin mendor dhe nuk ofron të dhëna mbi kapacitetet humane dhe financiare për zbatimin e planeve në fuqi të veprimit për këtë fushë. Në mars të vitit 2022, OBSH u bëri thirrje vendeve që të merrnin masat e nevojshme për të garantuar shërbimet e shëndetit mendor, duke zbuluar gjithashtu mungesë historike të investimeve në këtë drejtim në shumë vende në zhvillim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i personave të referuar se vuajnë nga probleme të shëndetit mendor u rrit nga 33 mijë e 900 në 40 mijë nga viti 2018 deri në fund të vitit 2021. Në dispozicion të këtyre pacientëve janë 100 mjekë psikiatër; 43 prej të cilëve shërbejnë në spitalet publike dhe 57 mjekë të tjerë në shërbimin ambulator shëndetësor.

Ndërkohë, 2855 pacientë rezultojnë të shtruar deri më 30 nëntor 2022 në katër spitale të vendosura në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe në shërbimin e Psikiatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Për t’u përballur me sfidën e shëndetit mendor, Shqipëria shpenzon rreth 1.1 miliardë lekë ose rreth 10 milionë euro në vit, sipas të dhënave të pjesshme që BIRN siguroi nga Ministria e Shëndetësisë. Rreth 774 milionë lekë u shpenzuan në tre spitalet psikiatrike në Elbasan, Vlorë dhe Shkodër, ndërsa 381 milionë lekë shkuan për rimbursimin e barnave psikoleptike dhe psikoanaleptike që përdoren për trajtimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor, jashtë shërbimit spitalor. Situata të tilla traumatike ishin të zakonshme anekënd Shqipërisë përgjatë dy viteve të rënda të pandemisë, ku mbi 330 mijë shqiptarë u infektuan dhe mbi 3500 prej tyre humbën jetën si pasojë e komplikacioneve. Mjekët infeksionistë thonë se u përballën me shumë të panjohura, mes së cilës edhe me gjendjen e rënduar emocionale të pacientëve.

Qendra të pamjaftueshme
Urgjenca E Spitalit Rajonal Durres
Ndërsa ekziston një konsensus mes ekspertëve mbi efektet e mëdha që pandemia shkaktoi mbi shëndetin mendor, studimet kanë munguar dhe pasojat reale në Shqipëri janë ende të paqarta. Sipas psikologes Marta Bej, studimet sasiore dhe cilësore mungojnë për të arritur në konkluzione të qarta. Duke iu referuar përvojës së saj me pacientët, Bej thotë se pandemia e rëndoi situatën e shëndetit mendor te personat e diagnostikuar më parë si edhe solli shfaqjen e stresit tek popullata e re.

“Në rastet e humbjes së familjarëve ka pasur raste të stresit post traumatik. Mendoj se ka ndikuar edhe pjesa e hospitalizimit, sepse njerëzit kanë pasur frikë. Por ka pasur edhe raste të reja, në të cilat shtohet stresi dhe krijohet terren për sëmundje në popullatë”, tha Bej. Megjithatë, psikologia vëren se tashmë ka një vetëdijësim më të lartë të popullatës për të kërkuar ndihmë psikologjike dhe terapia është tashmë e përhapur gjerësisht tek grupmoshat e reja, kryesisht nga 15 deri në 25 vjeç. Mjekja psikiatre, Arjana Rreli, shpjegon se vitet e fundit janë përhapur edhe sjellje të tjera, të cilat prekin përgjithësisht të rinjtë dhe të moshuarit.

Artikulli paraprakNGA BANKAT TE IMPORTET DHE EKSPORTET, BORRELL: PAKETA E RE E SANKSIONEVE NDAJ RUSISË MIRATOHET NË ORËT NË VIJIM
Artikulli tjetërTJETËR TËRMET I FUQISHËM NË TURQI, DY PERSONA SHPËTOJNË MREKULLISHT PAK SEKONDA PARA SE TË SHEMBET GODINA